Egnatia ka siguruar kualifikimin për në finalen e madhe të titullit kampion. Rrogozhinasit barazuan pa gola ndaj Partizanit dhe falë avantazhit si vendi i parë në renditje, ia doli të kalojë në finale, aty ku do të përballet me Vllazninë.
Në krahun tjetër, Partizani i cili e mbylli në vendin e katërt renditjen, eliminohet dhe dështon për të dytin vit radhazi për titullin. Rastin e parë të rrezikshëm e kishte Egnatia në minutën e 4-t. Albano Aleksi lëshoi një gjuajtje të bukur nga jashtë zone, por u devijua në këndore nga portieri Qirko. Gardiani i të kuqve ishte sërish vendimtar me një pritje të shkëlqyer, këtë herë ndaj Regi Lushkjas, duke e mbajtur rrjetën e paprekur. Fernando provoi në zonë me një gjuajtje, por nuk kishte saktësinë e duhur për të shkuar në rrjetë. Gjuajtjen e parë në portë Partizani e kishte në minutën e 30-të. Preka provoi me kokë, por topi shkoi në duart e Dajsinanit.
4 minuta më vonë, Eleke provoi me një kthesë pas pasimit të marrë nga Kote në zonë. Edhe këtë herë tentativa nuk kishte saktësinë e duhur. Mundësia më e mirë e pjesës së parë ishte ajo e Bintsuka në minutën e 37-të. Sulmuesi u shfaq i vetëm me portierin Dajsinani, por u vonua shumë dhe aksioni humbi qartësinë. Fraksioni i dytë nisi me Partizanin më kërkues. Albers Keko krijoi iluzione goli me një gjuajtje fluturimthi, e cila shkoi ngjitur me shtyllën e Dajsinanit.
Bytyçi ishte vendimtar me ndërhyrjen e tij ndaj Zejnullait, duke ndalur një top që po shkonte në drejtim të portës. Në minutën e 75-të, Albano Aleksi provoi me një tjetër gjuajtje të fortë nga jashtë zone, e cila u devijua në këndore. Minutat e mbetura nuk prodhuan më raste të rrezikshme dhe në fund ishte Egnatia që festoi kualifikimin në finalen e titullit. Ndeshja mes Egnatias dhe Vllaznisë, ku do të përcaktohet kampionia e këtij sezoni, do të luhet të hënën e 12 majit.
sfidanti.al