UEFA jep 233 milionë euro shpërblime

UEFA ka bërë publike shpërndarjen e një shume rekord prej 233 milionë eurosh për 901 klube futbolli në të gjithë Evropën, si pjesë e Programit të Benefitit të Klubeve. Ky program përfshin shpërblime për ekipet që kanë kontribuar me lojtarë në ndeshjet e ekipeve përfaqësuese kombëtare gjatë periudhës 2020–2024, përfshirë edhe fazat kualifikuese dhe finalet e Kampionatit Evropian “EURO 2024”. Shpërndarja është bërë ndërmjet klubeve që përfaqësojnë 55 federata anëtare të UEFA-s. Fondet janë gjeneruar kryesisht nga të ardhurat komerciale të përfituara përmes të drejtave televizive dhe sponsorizimeve që lidhen me finalet e Europianit të këtij viti.

Përfituesit më të mëdhenj të këtij programi janë klubet që furnizojnë rregullisht kombëtaret europiane me lojtarë të nivelit të lartë. Sipas të dhënave të publikuara, klubet angleze kanë përfituar rreth 47 milionë euro, të ndjekura nga ato italiane me 35 milionë euro, gjermanet me 30 milionë dhe spanjollet me 22 milionë euro. Në kontrast të theksuar me këto shifra që përfaqësojnë elitat e futbollit kontinental, klubet nga Shqipëria dhe Kosova kanë përfituar një pjesë shumë të vogël të fondit të përgjithshëm. Në total, klubet shqiptare kanë marrë rreth 150 mijë euro nga ky shpërblim.

Pjesën më të madhe të kësaj shume e ka përfituar Tirana, me më tepër se 84 mijë euro. Egnatia ka arkëtuar mbi 36 mijë euro, ndërsa Partizani mbi 29 mijë euro. Shuma të ngjashme ka edhe për klubet e Superligës së Kosovës, me rreth 121 mijë euro të ndara mes tre klubeve: Ballkanit, Dukagjinit dhe Llapit.

Shuma të tilla përfaqësojnë përfitime modeste krahasuar me kostot e funksionimit të klubeve dhe me shifrat e shpërndara për klubet e mëdha europiane. Megjithatë, për klubet shqiptare, këto janë të ardhura të mirëpritura në një kontekst ku buxhetet janë të kufizuara dhe investimet në futboll mbështeten kryesisht në burime lokale dhe sponsorizime rajonale.

Programi i Benefitit të Klubeve do të vazhdojë të funksionojë edhe në ciklet e ardhshme të turneve ndërkombëtare, dhe vlera e shpërblimeve mund të ndryshojë në varësi të përfaqësimit të lojtarëve në ekipet kombëtare dhe ecurisë së skuadrave në kompeticionet zyrtare. Për vendet me liga më të vogla dhe më pak të zhvilluara, pjesëmarrja e rregullt e lojtarëve në përfaqësuese mbetet një prej mënyrave të pakta për të siguruar përfitime të drejtpërdrejta nga aktivitetet ndërkombëtare të UEFA-s.

sfidanti.al