Rooney e shikon Rashford te Manchester United

Wayne Rooney është i bindur për të ardhmen e Marcus Rashford. Legjenda e Manchester United, në një intervistë për Prime Video, ka komentuar situatën e sulmuesit anglez, duke u shprehur se ai nuk do të qëndrojë gjatë tek Aston Villa dhe dëshiron të rikthehet në “Old Trafford”. “Marcus Rashford dëshiron të kthehet te Manchester United, jam 100% i sigurt për këtë,” tha Rooney. “Është një djalë i rritur me klubin, është tifoz i United. Ka kaluar një periudhë të vështirë gjatë 18 muajve të fundit. Kishte nevojë të luante, dhe ishte e qartë për të gjithë se nuk do të kishte më hapësira për pjesën e mbetur të sezonit. Këtë e pamë të gjithë.”

Rooney theksoi edhe rëndësinë e vendosmërisë të Rashford, duke shtuar: “Ka treguar se ndonjëherë duhet të vazhdosh të trokasësh në derën e trajnerit dhe të vësh veten në pozita të tilla ku nuk mund të lirohesh lehtë nga skuadra. Marcus, në një botë ideale, do të donte të luante rregullisht dhe të linte gjurmë te Manchester United.”

I pyetur nëse ky rikthim do të realizohet, Rooney nuk dha një përgjigje të prerë, por shtoi: “Nuk e di nëse do të ndodhë, por kjo është ajo që edhe unë do të doja të shihja.”

Fjalë që tregojnë jo vetëm besimin e ish-kapitenit në potencialin e Rashford, por edhe një dëshirë për ta parë atë sërish si pjesë kyçe të projektit të “Djajve të Kuq”. Pas një sezoni të trazuar, mbetet për t’u parë nëse Rashford do të rikthehet të shkëlqejë aty ku nisi gjithçka.

sfidanti.al