Kombinimet për Liverpool-in kampion

Liverpool-i mori një fitore jashtëzakonisht të rëndësishme në shtëpi ndaj West Ham-it me rezultatin 2-1, duke bërë një hap të madh drejt titullit të 20-të kampion në histori. Edhe pse edhe një barazim do ta linte me një epërsi të rehatshme prej 10 pikësh ndaj Arsenalit, një tjetër hap fals pas humbjes ndaj Fulham-it javën e kaluar mund të kishte sjellë nervozizëm të panevojshëm në kampin e “The Reds”.

Pas kësaj fitoreje, tifozët e Liverpoolit kanë nisur të bëjnë llogaritë: kur mund të shpallen kampionë? Përgjigjja është se, me një kombinim të caktuar rezultatesh, festa mund të nisë që në fundjavën e ardhshme. Aktualisht, Liverpool-i ka 13 pikë më shumë se Arsenali. Nëse të besuarit e Arne Slot fitojnë ndaj Leicester-it të dielën që vjen dhe Arsenali humbet ndaj Ipswich-it, diferenca do të shkojë në 16 pikë – një diferencë që nuk do të mund të rikuperohej më, me vetëm pesë javë për t’u luajtur. Ndeshja e Arsenalit do të zhvillohet të dielën, më 20 prill, në orën 15:00, ndërsa Liverpool-i do të zbresë në fushë në orën 17:30. Nëse “Topçinjtë” mposhten, atmosfera në “Anfield” do të jetë elektrizuese për të mbyllur punën ndaj Leicester-it, që drejtohet nga ish-sulmuesi i Manchester United, Ruud van Nistelrooy. Titulli është çështje kohe për Liverpool-in, që pas sezonit historik 2019/20, është gati të rikthehet në fronin e futbollit anglez.

sfidanti.al