Transferimi rekord i Pogbas nën syrin hetues të FIFA-s

“Shtëpia botërore e futbollit”, FIFA, ka hapur një proces hetimi për transferimin nga Juventusi te Mançester Junajtidi të mesfushorit francez, Pol Pogba, me ç’rast u pagua shuma rekord prej 105 milionë eurosh. Këto ditët e fundit, janë publikuar disa detaje të kontratës së Pogbas me Mançesterin, midis të tjerave, për pagën e tij, por edhe për provizionin marramendës prej rrreth 49 milionë eurosh që mori agjenti i Pogbas, Mino Rajola.

Kështu, FIFA vendosi që të hapë një proces hetimi që ta shqyrtojë me hollësisht transferimin rekord të lojtarit të mësipërm, duke kërkuar nga klubi i Mançesterit më shumë informacione rreth këtij transferimi. Spekulohet se objektiv kryesor i këtij hetimi është agjenti Rajola që përfaqësonte në kontratë tri palë. Thuhet se ky agjent ka gllabëruar një provizion prej 49 milionë eurosh, ndërsa në llogari të Juventusit shkuan vetëm afro 78 milionë euro, ndërkohë që nga “qesja” e klubit të “djajve të kuq” dolën 127 milionë euro! Spekulohet se agjenti Rajola nuk e ka informuar për gjithçka klubin e Mançesterit, ndërkohë që kjo është e ndaluar rreptësisht sipas ligjeve angleze.

Sfidanti.al