Tirana triumfoi pastër në derbin ndaj Partizanit, me rezultatin 3-0. Pas 10 ndeshjeve, bardheblutë rikthehen të fitorja ndaj rivalëve të kryeqytetit. Në një atmosferë elektrizuese në stadiumin “Arena Kombëtare”, skuadra e Shkëmbit mori kontrollin e lojës nga fillimi, duke qenë më kërkuese në sulm.
Soler kishte rastin e parë për shënim, por mesfushori gaboi gjithçka në zonë, duke gjuajtur jashtë. Goli nuk vonoi shumë dhe në minutën e 19-të, në stadium shpërtheu festa.
Ndreca lëshoi një gjuajtje të fortë nga goditja e dënimit, e cila u përplas në tranversë. Në vazhdim të aksionit përfitoi Zharmuni, i cili me kokë e ndali topin në fundin e rrjetës. Edhe pse në avantazh, bardheblutë nuk i ndalën sulmet, duke kërkuar me ngulm golin e dytë. Partizani provoi të reagojë me Podsterlov dhe Bintsuka, por pa sukses.
Goditjen e dytë e dha sërish Zharmuni. Sulmuesi fitoi penallti pas një prekje me dorë dhe nga pika e 11 metërshit u tregua i saktë, duke mposhtur Hoxhën për herë të dytë, për të kompletuar dopietën personale.
Në fundin e pjesës së parë, Smaçi iu afrua edhe golit të tretë, por gaboi gjithçka me gjuajtjen e tij, e cila shkoi jashtë. Një gabim në prapavijën e të kuqve, u shfrytëzua maksimalisht nga Ernest në minutën e 67-të. Sulmuesi përfitoi nga një top i Sembene dhe fitoi penallti, pas ndërhyrjes së Alban Hoxhës.
11 metërshin e mori përsipër vetë Ernest, i cili realizoi të tretin në këtë përballje. Partizani gjeti golin me Albers Kekon në minutën e 88-të, por u anulua për pozicion jashtë loje. Me këtë sukses, Tirana ngjitet në vendin e tetë me 35 pikë të grumbulluara dhe e bën të çmendur luftën për mbijetesë. Në krahun tjetër, Partizani rrezikon vendin e katërt, pasi Elbasani ndodhet vetëm një pikë larg.
sfidanti.a