Vinicius i paduruar për rikthimin e Neymar te Brazili

Vinícius Júnior është shprehur i entuziazmuar për mundësinë që Neymar të rikthehet në kombëtaren braziliane për ndeshjet e ardhshme kualifikuese të Kupës së Botës kundër Kolumbisë dhe Argjentinës. Brazili do të shpallë listën e tij të enjten dhe gjithçka tregon se Neymar do të veshë sërish fanellën e “Seleçaos”:

“Pritshmëritë janë të mëdha sepse ai është idhulli i brezit tonë,” – tha Vinícius gjatë një interviste për TNT Brasil.

33-vjeçari nuk ka luajtur për Brazilin që nga ndeshja kualifikuese ndaj Uruguait në tetor të vitit 2023, kur pësoi një dëmtim të rëndë në gju, që e mbajti jashtë fushave për një vit. Tani Neymar është rikthyer te klubi i fëmijërisë së tij, Santos, gjatë merkatos së janarit, duke u përpjekur të rifitojë formën e tij pas dëmtimeve që e kishin kufizuar në vetëm shtatë paraqitje në më shumë se 18 muaj me ekipin saudit Al Hilal.

“Jemi shumë të lumtur që është kthyer te Santosi, që ka filluar të shënojë sërish dhe që është i lumtur – kjo është gjithmonë gjëja më e rëndësishme,” – shtoi Vinícius.

Brazili aktualisht renditet në vendin e pestë në grupin kualifikues të Kupës së Botës, shtatë pikë pas liderit Argjentinë pas 12 ndeshjeve të zhvilluara. Skuadra e trajnerit Dorival Júnior ka fituar pesë ndeshje dhe ka humbur katër deri më tani në kualifikime.

 

sfidanti.al