Ismajli mban në ankth Sylvinhon

Ardian Ismajli jo më kot vlerësohet e kërkohet nga klube të rëndësishëm në Itali dhe Europë, dhe prania e tij është thuajse përcaktuese, por fatit nuk I dilet kundër. Vetëm pak ditë pasi u kthye në fushë nga dëmtimi, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare u detyrua të bënte pushim. Ai u la jashtë ekipit për sfidën e fundjavës në Serinë A, që Empoli e luajti në fushën e Xhenoas.

Barazimi ishte rezultat I mirë, por jo mungesa e kapitenit, I cili u lëndua përsëri në mesjavë në triumfin e madh në Kupën e Italisë kundër Juventusit. Trajneri D’Aversa ka deklaruar se nuk mund të rrezikohet, dhe mediat pranë klubit toskan shkruajnë se ndoshta diçka nuk ka shkuar mirë në rikuperim. Ende nuk dihet sesa do të mungojë Ismajli, ndërsa ditët e ardhshme do të ketë kontrolle të tjera mjekësore. Shqetësimi është I madh sepse po afrohen dy ndeshjet e kombëtares në eliminatoret e Kupës së Botës, në 21 mars kundër Anglisë në Londër dhe në 24 në Tiranë kundër Andorrës. Shpresohet që mbrojtësi 29-vjeçar të bëhet gati sa më shpejt dhe të luajë qoftë edhe disa minuta tek Empoli, në mënyrë që të grumbullohet në përfaqësuese. Mbetet mister nëse kjo do të jetë e mundur.

 

sfidanti.al