Një humbje që Partizanin e vret pak ose shumë pak, por për Bylisin një fitore që vlen “ar” dhe alarmon Teutën e Tiranën. Nuk mund të hyjmë aspak në gjykimin e sfidës së “Arenës së demave” pasi kushdo ka të drejtën të besojë te fitorja edhe në një fushë të vështirë si ajo e të kuqve, por mënyra se si kjo ndeshje rrodhi, të shtyn drejt një logjike të thënë e stërthënë: formula aktuale e Superiores lë vend për tolerime, abuzime apo edhe keqinterpretime. Partizani me këtë disfatë nuk shqetësohet aspak për katërshen e parë me biletën në xhep për “final four”, ndërsa në renditjen e zonës së ftohtë, 3 pikët e rrisin Bylisin dhe zhysin Tiranën e Teutën. Diferenca e katër të parëve me pjesën tjetër të tabelës është krijuar tashmë dhe mbetet e madhe, çka do të thotë se të gjithë kryesuesit kanë luksin të mbyllin edhe njërin sy apo të heqin këmbën nga gazi e dashje pa dashje dëmtojnë garën në pjesën tjetër të klasifikimit.
Nga Pirro Bardhyli