Elbasani e mbylli këtë vit ashtu si duhej, me një fitore që mban gjallë shpresën për të luftuar deri në fund për një vend në “Final 4”. Njëkohësisht, trepikëshi në Korçë largoi njëherë e mirë edhe “hijet” e zonës së ftohtë të renditjes, duke qenë se skuadrat po i afroheshin ndjeshëm dhe një tjetër ndalesë do t’i fuste vërtet në telashe. Tani ekipi i Ivan Gvozdenoviç është më i qetë sa i përket periudhës së pushimeve, teksa kjo fitore jashtë fushe ka ndikuar jo pak edhe në aspektin moral. Pas një humbjeje në start ndaj Vllaznisë dhe barazimit me Partizanit, serbi i pankinës shijoi fitoren e parë, edhe pse ndaj ish-skuadrës së tij. Ekipi i drejtuar nga Roberto Bordin vuante shumë në aspektin sulmues. Për këtë arsye, ekipi është penalizuar jo pak, ku ndonëse mbanin rrjetën të paprekur, nuk fitonin dot për aq kohë sa nuk shënonin. Duket se Gvozdenoviç e gjeti menjëherë “ilaçin”, edhe pse e mori skuadrën në një gjendje jo të mirë dhe për më tepër në tre ndeshje transferta tepër të vështira. Verdheblutë kanë shënuar në të gjitha ndeshjet që nga ardhja e Gvozdenoviçit, duke treguar se skuadra ka funksionuar në këtë repart. Më konkretisht, elbasanasit kanë shënuar pesë herë në tri ndeshje, me nga një dygolësh me Skënderbeun dhe Partizanin dhe një gol me Vllazninë. Ajo që ka më shumë rëndësi në këtë aspekt, është fakti se kanë shkuar pikërisht ata që e kanë për detyrë, sulmuesit. Blais Tsage realizoi ndaj Partizanit, ndërsa Arsen Lleshi dhe Ze Gomesh gjetën rrugën e rrjetës ndaj korçarëve. Me pak ditë në dispozicion, serbi i pankinës verdheblu e ka bërë hapin e parë për të nxjerrë Elbasanin nga “agonia” e golave të munguar. Megjithatë, mbetet për t’u parë edhe vazhdimësia pas periudhës së pushimeve, e cila i vjen në ndihmë trajnerit për të zbatuar si duhet filozofinë e tij. Tekniku hoqi dorë nga skema 3-5-2 që luanin më parë verdheblutë, duke kaluar në një mbrojtje me katër, diçka që e pati paralajmëruar kur mbërriti në skuadrën e Elbasanit.
sfidanti.al