Tirana ka vazhduar përgatitjet për sfidën e radhës atë me Dinamon. Bardheblutë si zakonisht e nisën punën në orën 11:30 dhe vazhduan deri tej mesditës. Në fillim, skuadra diskutoi gjatë në mes të fushës, ku trajneri Magani foli para skuadrës. Më pas nisi puna me grupin, ndërsa ra në sy mungesa e Qëndrim Ismajlit. Meta dhe Cereni punuan veçmas, duke vrapuar rreth fushës me bar sintetik të “Skënder Halilit”. Edhe pse skuadra punoi veçmas, Magani u mundua të zhvillonte diskutime kokë më kokë me disa lojtarë. Si fillim ai thirri Dembelenë, me të cilin në prani të drejtorit Ibrahimi foli gjatë. Më pas u ndal te dyshja Meta-Cereni, të cilët ishin veçmas në fushën e lojës. Dhe pas nxehjes erdhi edhe stërvitja normale. Me një ekip që ka dy mungesa të rëndësishme, Magani është duke menduar për formacionin. Si fillim, Magani duhet të vendosë se cili do të luajë në krahun e djathtë. Me shumë mundësi nga minuta e parë e nis Gjumsi, i cili është në “luftë” me Abah. Me mungesën e dyshes Ismajli-Meta, trajneri do të aktivizojë Solerin, Jonuzin dhe Dembelenë. Në mbrojtje nuk ndryshojnë Kola, Mici dhe Përgjoni. Në sulm tashmë dihet që luajnë Zharmuni, Haxhiu dhe risia do të jetë Prengaj nga minuta e parë. Bardheblutë, aktualisht kanë 12 barazime, 3 humbje dhe 2 fitore në këto dy faza të para dhe nëse humbasin apo barazojnë edhe në këtë përballje, ekipi luan për mbijetesë, ndërsa projekti nuk është për fundtabelë. Drejtuesit kërkojnë që skuadra të grumbullojë sa më shumë pikë deri në janar. Menjëherë klubi do të ndërhyjë për të afruar trekatër futbollistë me peshë, pasi kësaj skuadre i mungon cilësia dhe ardhja e tyre do të zvogëlojë “gap-in” me klubet e tjera.
sfidanti.al