Me katër barazime në gjashtë ndeshjet e fundit, Tirana rrezikon shumë. Në javën e dhjetë ku u regjistruan plot 4 rezultate në barazpeshë, skuadra e Bledi Shkëmbit nuk shkoi më shumë se rezultati 1-1 ndaj Laçit, një sinjal i keq për bardheblutë që ndoshta këtë sezon do të luftojnë për objektiva më modestë. Zona e mbijetesës është vetëm 3 pikë larg dhe kjo është një këmbanë alarmi pasi edhe vetë trajneri korçar e pranoi pas ndeshjes që skuadra nuk e meritoi fitoren dhe kur kreu i stolit e pohon këtë, atëherë do të thotë që për ekipin telashet janë në horizont. Të degdisur nga FSHF sa në Vlorë e Korçë, kryeqytetasit duket se janë braktisur nga të gjithë. Fillimisht presidenti Halili nuk arriti të finalizonte një merkato në nivel i kushtëzuar nga problemet financiare dhe më pas edhe çështja e fushës. Tirana nuk ka sot një stadium shtëpie pasi “Selman Stermasi” është transformuar në qoshe koncertesh për qejfllinjtë e qofteve dhe alkoolit, ndërsa “Air Albania” mbetet një luks për Tiranën në këtë situatë financiare. Asnjë sinjal i mirë në horizont për kampionët më të titulluar të vendit dhe tashmë që edhe FSHF i ka “lëshuar”, tifozët bëjnë mirë të marrin masat për një dimër të gjatë.
Nga Pirro Bardhyli