Mercedes i falet Valtteri Bottas dhe fiton Çmimin e Madh të Rusisë në Botërorin e Formula 1. Piloti finlandez zhvilloi një garë perfekte në Sochi duke siguruar triumfin e tij të parë në karrierë në këtë kampionat duke lënë pas skuadrën Ferrari. Ishin Vettel dhe Raikkonen ata që e nisën garën nga vija e parë e startit, por ishte pikërisht Bottas ai që e mori kryesimin e saj. Piloti finlandez e ruajti me mjeshtëri këtë vend të parë, të cilin e lëshoi përkohësisht në duart e Vettel pas hyrjes në bokse. Xhirot e fundit të garës ishin edhe më emocionuese pikërisht për meritë të Bottas dhe Vettel. Piloti gjerman u përpoq shumë që të kalonte finlandezin e Mercedes për të marrë fitoren e tretë sezonale, por nuk ia doli dot dhe në fund I detyrua të kënaqej me vendin e dytë. Në shkallën më të ulët të podiumit u ngjit piloti tjetër I Ferrarit, Kimi Raikkonen. Nuk u pa në një ditë të mirë Lewis Hamilton i cili ashtu sikurse edhe në provat zyrtare u rendit në vendin e 4. Pas përfundimit të Çmimit të Madh të Rusisë, renditja e botërorit të Formula 1 për pilotë vazhdon të kryesohet nga Sebastian Vettel me 86 pikë, i ndjekur nga Hamilton me 73 pikë dhe Bottas me 63. Për konstruktorë, është Mercedes që ngjitet në vendin e parë me 136 pikë, kundrejt 135 pikëve të Ferrarit.
sfidanti.al