Dëmtimi i rëndë i Marc-André ter Stegen, i cili tashmë i është nënshtruar një operacioni, ka goditur rëndë Barcelonën dhe gjithashtu kombëtaren gjermane. Nëse në Katalonjë thuhet se është e afërt një marrëveshje me Ëojciech Szczesny, i cili u tërhoq nga futbolli profesionist në verë pasi u lirua nga Juventusi, trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann megjithatë e gjen veten në telashe serioze. Në fakt, Ter Stegen sapo ishte promovuar si pasardhësi i Manuel Neuer në portë, por që do të mungojë për muaj të tërë për shkak të dëmtimit.
Gjermania është në vështirësi, a mund të ketë ndryshim vendimi për portierin e Bayern, Manuel Neuer? “Unë u largova me vullnetin tim”, sqaroi kampioni i botës 2014 në Sky Sports DE pas ndeshjes kundër Leverkusenit (1-1). “Nuk ka absolutisht asnjë lidhje me Marc (ter Stegen)”, deklaroi Neuer, i cili më pas zbuloi kontaktin e drejtpërdrejtë me vetë lojtarin e Barcelonës. “Unë madje i dërgova atij një mesazh zanor pas operacionit. Ai po bën mirë, duke pasur parasysh rrethanat. E di se si është ndjesia që duhet të rikthehem pas një dëmtimi të tillë dhe mendoj se Marc patjetër do t’ia dalë”.
Po sikur të binte telefoni i Neuerit dhe Nagelsmann të ishte në anën tjetër të telefonit duke kërkuar ndihmë? Në atë rast gjermani 38-vjeçar do të përgjigjej: “Kemi të paktën dy portierë shumë të mirë”. Së pari Oliver Baumann (Hoffenheim) dhe më pas Alexander Nübel (Shtutgart). Në listë mund të rikthehen edhe Bernd Leno (Fulham) dhe Kevin Trapp (Eintracht Frankfurt), aktualisht të dëmtuar.
sfidanti.al