Sklnderbeu shpërthen në merkato, marrëveshje me Albi Dokën

Skënderbeu ka forcuar mbrojtjen me Albi Dokën, i cili kthehet në Shqipëri pas një viti në kampionatin hungarez, me Ujpeshtin. Ish-mbrojtësi i Tiranës kthehet si lojtar i lirë dhe do të luajë me korçarët për dy sezone. Albi Doka është futbollisti më i ri i Skënderbeut, pasi ka arritur marrëveshjen me klubin korçar. Mbrojtësi rikthehet për herë të dytë në Shqipëri, ku ka luajtur dy herë me Tiranën. Ai luajti me bardheblutë deri në përfundim të sezonit 2022-23 për të kaluar te Ujpesht, në Hungari, ku kishte  luajtur edhe më parë, me Honvedin.

Pas një viti me skuadrën hungareze, 27-vjeçari kthehet edhe një herë në Shqipëri, por këtë herë për të luajtur me Skënderbeun, për dy sezone, pasi ka ndërprerë bashkëpunimin me Ujpeshtin. Pritet që Doka të prezantohet zyrtarisht para medias të mërkurën, kur do të nisë edhe stërvitjen me skuadrën e Ivan Gvozdenoviç. Mbrojtësi ka luajtur shtatë herë edhe me kombëtaren e Shqipërisë dhe është një përforcim i vlefshëm për korçarët. Në përfundim të tri javëve të para në Abissnet Superiore, Skënderbeu ka katër pikë, dhe synon të hyjë sërish në katërshen finale që do të luftojë për titullin kampion.

sfidanti.al