Liga e Kombeve, kuqezinjtë nisin fushatën më 2 shtator

Pas finaleve të Europianit “Gjermani 2024”, Kombëtarja shqiptare rikthehet në fushë në muajin shtator me dy sfidat ndaj Ukrainës e Gjeorgjisë, të vlefshme për Ligën e Kombeve. Dy ndeshje shumë të rëndësishme për Shqipërinë, që synon vendin e parë në grup jo vetëm për t’u ngjitur në Ligën A për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve, por edhe sepse përmes këtij kompeticioni, kuqezinjtë kanë një shans të artë për t’u kualifikuar në finalet e Kampionatit Botëror 2026. Por si ndodh kjo? Nga kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026, që nisin në muajin mars të vitit të ardhshëm, kalojnë automatikisht 12 vendet e para të grupeve, ndërsa 12 vendet e dyta shkojnë në fazën play-off. Këtyre 12 vendeve të dyta u bashkohen edhe 4 ekipe nga Liga e Kombeve. Ky kompeticion është i përbërë nga 4 liga: A, B, C, D dhe në bazë të paraqitjeve në grup, do të ketë edhe një klasifikim të përgjithshëm të të gjitha ligave. Kësisoj, nëse kuqezinjtë do të renditen të parët në grupin B, atëherë mundësitë për të kapur fazën play-off të Botërorit janë më të mëdha për shkak të ngjitjes lart në klasifikim.

Pra, veç kualifikueseve të Botërorit, Shqipëria ka një shans shumë të mirë edhe me Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Silvinjo janë pjesë e Ligës B dhe janë pozicionuar në grupin B1 së bashku me Çekinë, Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Kjo fushatë ndeshjesh për Kombëtaren nis në muajin shtator, konkretisht më 2 shtator kur kuqezinjtë nisin edhe grumbullimin zyrtar në Tiranë. Më 7 shtator Shqipëria luan ndeshjen e parë ndaj Ukrainës në Çeki, takim i planifikuar të nisë në ora 20:45. Sakaq, më 10 shtator, kuqezinjtë do të luajnë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë sfidën ndaj Gjeorgjisë.

sfidanti.al