Kukësi nis të lëvizë në merkato. Verilindorët po mundohen të plotësojnë organikën me lojtarët e fundit që kanë mbetur në qarkullim, duke qenë se pjesa më e madhe e tyre janë të stabilizuar nëpër ekipe të tjera. Kuptohet, që pjesa më e madhe e afrimeve pritet të jenë në moshë të re, por që në Kukës shpresojnë të shpërthejnë dhe t’i japin një dorë skuadrës që të paktën të arrijnë mbijetesën këtë edicion. Kështu, afrimi i parë mund të konsiderohet sulmuesi Luis Birçaj, i cili vjen nga radhët e skuadrës së Partizanit. Ai ka pasur pak hapësira te të kuqtë dhe këtu mund të ketë mundësinë të tregojë potencialin e tij të vërtetë. Sakaq, blutë po mendojnë të përforcohen edhe nëpërmjet huazimeve nga ekipet e Superiores. I tillë është rasti i dy futbollistëve të Skënderbeut: portierit Amarildo Dervishi dhe mesfushorit Erest Lamellari. Të tre këta lojtarë u provuan në fushë gjatë miqësores me Partizanin U-19. Ata u panë nga afër nga trajneri Ilir Spahiu. Duhet thënë, se nuk ka më shumë kohë për të provuar lojtarë, sepse këtë javë starton kampionati dhe skuadra duhet të jetë më së paku e përgatitur të ketë disa të tillë të gatshëm për ta përballuar sfidën. Më pas do të shihet deri javën e ardhshme për përforcime të tjera.
sfidanti.al