Vuthaj: Egnatia e mbron titullin

Dardan Vuthaj bëri një debutim për t’u mbajtur mend me fanellën e Egnatias në Superiore: fitoi penalltinë dhe e shndërroi vetë në gol, duke u dhënë mundësinë rrogozhinasve ta nisin kampionatin dhe mbrojtjen e titullit me këmbën e mbarë.

Në një intervistë pas ndeshjes, 28-vjeçari i ardhur nga Italia rrëfen emocionet e ndeshjes dhe fitores me Dinamon, teksa pohon se skuadra ka bërë mirë detyrat që i ka dhënë trajneri gjatë gjithë javës. Vuthaj e di përgjegjësinë e të qenit sulmuesi kryesor i një ekipi kampion, por thekson se do të japë gjithnjë maksimumin për të ndihmuar skuadrën të fitojë sërish titullin kampion në futbollin shqiptar.

Dardan, debutuat me gol, si ndiheni?

Normalisht, jam shumë i lumtur për këtë gol të shënuar dhe më shumë për fitoren. Ishte ndeshja e parë dhe jam i gëzuar edhe për faktin që munda të ndihmoj shokët e ekipit. Luajtëm mirë dhe jam shumë i gëzuar.

Kujt i dedikohet ky gol?

Unë gjithmonë golat ia dedikoj motrës time.

E fituat vetë penalltinë dhe e shënuat po vetë. Patët emocione?

Emocioni nis kur futesh në fushë fillimisht, më pas kur prek topin e parë dhe më pas kalon. Nis të bëhet puna dhe ndërtimi i lojës, siç kemi bërë gjatë javës. U munduam të bëjmë gjërat që na ka kërkuar trajneri dhe ia dolëm.

Çfarë përgjegjësie është të jesh sulmuesi kryesor i ekipit kampion dhe që pretendon sërish?

Është një përgjegjësi e madhe, por unë e marr seriozisht që t’ia dal mbanë dhe të ndihmoj skuadrën. Gjithnjë me punë për të shkuar sa më lart me gjithë ekipin.

Tani luani me Laçin, si e prisni?

E pres si të gjitha ndeshjet e tjera. Përqendrohem në atë që më kërkon trajneri dhe shokët e ekipit dhe do jap maksimumin për këtë ekip.

Mendoni se Egnatia do ta mbrojë titullin?

Ne shpresojmë dhe do të bëjmë të pamundurën për këtë gjë.

 

sfidanti.al