Juve e Thiago Motta-s pritet të jetë një ekip ndryshe, në organikë dhe në filozofi, me trajnerin që ka përpiluar një listë në dalje, ku janë përfshirë emra të njohur si Fedrico Chiesa. Sulmuesi italian është i sakrifikuari i madh, por në të njëjtën kohë, stafi drejtues po punon edhe në lidhje me merkaton në hyrje. Fillimisht, prioritet është shitja e Chiesa-s, me drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” që vlerësojnë kartonin e tij në këto kushte me 25 milionë euro. Në garë për të janë disa ekipe si Napoli, Inter e Roma, por Chiesa pëlqehet edhe jashtë Italisë, mbi të gjithë në Premier League, ku së fundmi interesim kanë shfaqur ekipe si Chelsea dhe Tottenham. Pak ditë më parë, e përditshmja italiane, La Gazzetta dello Sport, shkruante për një interesim nga ana e Juves për sulmuesin e bluve Armando Broja. “Bomberi” kuqezi mund të përdoret nga Chelsea si një “kartë” për të arritur te Chiesa. Nuk është një sekret që Motta kërkon një sulmues për të rritur konkurrencën në repartin ofensivë, për të shtuar “presionin” mbi Vlahovic, ose të përdorët si një partner i tij në fazën sulmuese. Përpara se të shkojnë të Broja, fillimisht duhet kuptuar dëshira e Chiesa-s, ku preferon të vijojë karrierën sulmuesi italian.
sfidanti.al