Zbehet e kuqja e Partizanit

Fanella e Partizanit në ngjyrë të kuqe që është edhe identifikuese për markën e klubit kryeqytetas, humbet një dorë të fortë kolori me veprimin e orëve të fundit. Rreth 7 muaj pas emërimit të Orges Shehit për të cilin “luftoi” me këmbëngulje, klubi i kuq bën një hap pas që reflekton edhe mungesën e pjekurisë në një klub që ndoshta duhet të ndryshojë sjellje me trajnerët. Tekniku durrsak u konsiderua njeriu i duhur për të vijuar projektin por mesa duket emri i tij nuk mjaftoi për të rikthyer Partizanin kampion dhe kjo i kushtoi rëndë Orgesit. Gjatë viteve të fundit, klubi kryeqytetas ka treguar durim të mjaftueshëm me drejtuesit e stolit por mesa duket, koha e ka ekspozuar durimin dhe tashmë Partizani mund të anëtarësohet pa frikë në klubin e markave të njohura të futbollit shqiptar që i kanë “alergji” projektet afatgjata në aspektin menaxhues. Tirana dhe Vllaznia e kanë reflektuar një gjë të tillë rëndom në vitet e fundit, një tipar që tek të kuqtë ishte i huaj por ndoshta jo më. Partizani nuk është më një “realitet i huaj” në këtë aspekt.

Nga Pirro Bardhyli