Largimi i Partizanit dhe Egnatias nga Europa si flamurmbajtësit e fundit është një sinjal shumë i keq për futbollin e Superiores. Edhe pse mund të jenë dy nga skuadrat më të forta në aspektin financiar dhe sportiv, largimi i tyre nga Conference League që në raundin e dytë dhe përballë rivalëve modestë në letër, është një sinjal i fortë alarmi për të gjitha skuadrat dhe lëvizjen e futbollit në vendin tonë. Kur “lokomotiva” nuk tërheq, atëherë edhe vagonët kanë vështirësi për të ecur përpara e si pasojë, i gjithë treni mbetet në vend.
Në këtë situatë është futbolli shqipzar sot. Një klub i akuzuar për fshehje të ardhurash, një tjetër i dënuar me përjashtim nga Europa, një tjetër me emër të ndryshuar dhe pa një identitet edhe pse mbetet krenari, dhe disa të tjerë ende pa një identitet të qartë që mund t’i lidhë edhe me shumë me tifozët. Prej vitesh futbolli Superior është në një situatë të tillë por mungesa e gjurmëve të Shqipërisë në fazën e tretë të Conference League është ndoshta pika më e ulët ndoshta që prej vitit të mbrapshtë 1997. I kujt është faji? Jetim…për momentin.
Nga Pirro Bardhyli