Klubi ‘KF Tirana’ dhe Presidenti Refik Halili kanë përfunduar në gjyq nën akuzën për fshehje të ardhurash. Prokuroria e Tiranës njoftoi sot, 1 gusht 2024, se ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të Halilit dhe klubit Tirana pasi gjatë hetimeve për një procedim penal të vitit 2017 rezultoi se klubi Tirana ka fshehur rreth 52 mln lekë të ardhura përgjate dy sezoneve futbollistike. Do jetë një gjyqtar paraprak që do të vlerësojë nëse do të nisë gjykimi apo jo për dosjen e dërguar nga Prokuroria e Tiranës.
Sipas organit të akuzës, klubi i Tiranës ka fshehur të ardhurat përgjatë viteve 2014, 2015, 2016. ‘Futboll Klub Tirana’ ka pasur të federuar pranë Federatës Shqiptare të Futbollit 29 lojtarë për sezonin futbollistik 2014-2015 dhe 26 lojtarë për sezonin 2015-2016. Por, në këto dy vite asnjë nga lojtarët e federuar nga FSHF për “Klubi i Futbollit Tirana” nuk u deklaruan në listëpagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të subjektit. Prokuroria thotë se subjekti “Klubi i Futbollit Tirana” sh.a dhe administratori Refik Halili kanë fshehur të ardhurat në vlerën totale prej 51.975.745 lekësh, duke bërë të mundur shmangien e Tatimit mbi Fitimin dhe Sigurimet shoqërore dhe Shëndetësore.
sfidanti.al