Nuk ka marrëveshje, De Ligt qëndron në Bavari

Vetëm pak ditë më parë, Matthijs de Ligt dukej vërtet një hap larg veshjes së fanellës së Manchester United, sot gjërat kanë ndryshuar. Negociatat papritmas ngecën, pasi “Djajtë e Kuq” dhe Bayerni i Mynihut nuk ishin në gjendje të arrinin një marrëveshje për çmimin e kartonit të futbollistit holandez. Sipas asaj që raportohet nga “Bild”, klubi anglez ka bërë një ofertë fillestare e cila i është kthyer mbrapsht dërguesit pasi u gjykua se nuk i përmbushte pritshmëritë. Djajtë e Kuq mësohet se kanë ofruar ofruar 30 milionë euro, plus pesë milionë në formën e bonuseve, por për klubin bavarez ishte ofertë shumë e ulët. Siç raporton Bild, De Ligt ka arritur tashmë një marrëveshje me Manchester United disa kohë më parë, por rruga që të çon në tym të bardhë është ende e gjatë. Në fakt, Bayerni e vlerëson çmimin e qendërmbrojtësit holandez të paktën 50 milionë euro dhe kjo është pika fillestare për gjetjen e një marrëveshjeje. Manchester United tashmë ka forcuar mbrojtjen gjatë këtij sesioni të tregut transferues duke siguruar një nga talentët më të mëdhenj në të gjithë skenën e futbollit botëror: Leny Yoro. Për të siguruar qendërmbrojtësin francez 18-vjeçar, “Djajtë e Kuq” derdhën mbi 60 milionë euro në arkat e Lille.

sfidanti.al