Bota i përkulet Mesit, por gjermani ishte heroi i heshtur i “El Klasikos”

Bota e futbollit flet vetëm për Lionel Mesin dhe e bën këtë me plot të drejtë, mbas “El Klasikos” së 174-të, por ata që janë tifozë të vërtetë, nuk mund ta lënë pa konstatuar kontributin e madh që portieri gjerman, Mar Andre ter Shtegen, dha për fitoren e Barcelonës mbi Realin. I tillë është fati i portierit, të mbetet, në një plan afatgjatë, pa u vënë re, kurse ai, me ndërhyrjet e tij, bën një pjesë të madhe të punës, sikurse u konstatua kjo edhe në ndeshjen e mbrëmshme të “El Klasikos”.

Dhe, në fakt, në megaduelin e djeshëm, duhet të lavdëroheshin të dy portierët, pasi ata ishin fantastikë, megjithëse golat nuk munguan dhe kjo gjë duket paradoksale. Por, le t’i kthehemi performancës së portierit gjerman, Ter Shtegen, që shkëlqeu në portën e vet dhe që, krahas Lionel Mesit, ka, gjithashtu, meritën kryesore në fitoren kundrejt Realit. Gjatë ndeshjes, ai kapi disa topa që tifozëve vendas u dukeshin sikur kishin përfunduar në rrjetë, duke i detyruar ata që të çoheshin të entuziazmuar në këmbë para kohe.

Sfidanti.al