Ramosi merr të kuqen dhe vazhdon “luftën” me Piken

Kapiteni i Realit të Madridit, Serhio Ramos, i la në “cektësinë” lojtarët e vet, ndërsa, duke dalë jashtë fushës, gjeti kohën që t’i thoshte diçka edhe stoperit të Barcelonës, “armikut” të tij kryesor, Zherar Pike. Reali, sikurse dihet, u mposht 2-3 në “folenë” e vet, “Santiago Bernabe”, në një ndeshje, me të vërtetë, “atomike”. Kjo “El Klasiko” ishte një nga më të mirat gjatë këtyre viteve të fundit, pasi ne pamë gola të shkëlqyeshëm, pritje fantastike të portierëve, si edhe disa detaje të denja për “kronikat e zeza” të futbollit, si psh. gabimet e gjyqtarit kryesor dhe kartoni i kuq që iu tregua Ramosit që, në min. e 77-të, me të dyja këmbët, startoi kundër Mesit, ndërsa nuk e preku fare topin, kështu që gjyqtari, pa asnjë mëdyshje, i nxori atij të kuqen, duke i treguar edhe rrugën për në dhomën e zhveshjes.

Ramosi nuk bëri shumë zhurmë dhe u drejtua për te tuneli, ndërsa, atëkohë, siç duket, sytë i kapën rivalin e tij kryesor, Zherar Pike. Ramosi, duke dalë nga fusha, e ktheu kokën në drejtim të Pikes dhe, duke përdorur gjuhën e gjesteve, i vuri në dukje atij se ai flet shumë. “Ti, vetëm flet, vetëm flet”, kjo ishte domëthënia e gjuhës së gjesteve të Ramosit.

Sfidanti.al