Çesk Fabregasi, në një prononcim në media, foli për luftën e tij për të zënë vend në formacionin e parë të ekipit të Antonio Kontes. Ky lojtar spanjoll thotë se në stërvitje ai përpiqet që të jap maksimumin e tij, në përpjekje që ta bindë strategun italian se e meriton që të luajë. Mbas ardhjes së Kontes në “Stemford Brixh”, verën e kaluar, Fabregasi e humbi vendin e tij në formacionin e parë dhe, tani, ka një minutazh të kufizuar loje. Në një bisedë me Bi-Bi-Si-në, ky lojtar mesfushor shpjegon sesi është që të punosh me Konten:
“Ai është ndryshe nga të tjerët”, thotë Fabregasi që ka bashkëpunuar me trajnerë të klasit të parë të tillë, si Arsen Venger, Pep Guardiola dhe Zhoze Murinjo, duke vazhduar më tej: “Ai ka një filosofi tjetër dhe synon që të zhvillojë një lloj tjetër futbolli. Unë pëpiqem që t’u përshtatem kërkesave të tij. Dua që t’i tregoj atij se unë meritoj një minutazh më të madh në fushë. Kam folur me të dhe ai tregohet i sinqertë me mua, duke më shpjeguar se çfarë kërkon nga unë dhe shkaqet se përse unë, tani për tani, nuk mund të jem në formacionin e parë. Çfarë të bëj, të shkoj në shtëpi dhe të qaj? Jo, më duhet që në stërvitje të jap maksimumin tim dhe ta meritoj vendin në formacionin e parë”, thotë Fabregasi.
Sfidanti.al