Një shprehje thotë se floriri nuk e humb vlerën në asnjë rrethanë. As Armando Sadikut nuk i ndodh dhe sulmuesi i kombëtares shqiptare po bën një mrekulli të vërtetë në Zvicër. Pas shkëlqimit të sezonit të kaluar me Vaducin dhe periudhës jo të lumtur dhe me dëmtim tek Zyrihu, ai po kthen për mbarë fatet e një skuadre. Me një asist për shqiptarin e Maqedonisë, Alioski, ndihmoi që Lugano të kalonte në avantazh në fushën e Jang Bojsit, në përballjen e javës së 29-të të Superligës.
Ngulmoi gjatë gjithë kohës për të shënuar edhe vetë, por kurrë me teprim egoizmi, ndërsa skuadra e trajnerit Paolo Tramexani, vazhdoi të përparonte në renditje. Sadiku e plotësoi më në fund dëshirën duke realizuar golin e tij në pjesën e dytë, ndërsa Lugano u mbajt deri në fund duke fituar 2-1. Sulmuesi elbasanas ka tani 7 gola në Superligë, të gjithë të shënuar në fazën e dytë.
Me ardhjen e tij dhe të Tramexanit, ish-zv. trajner i Shqipërisë, ndryshoi edhe fati i ekipit. Nga kandidat për të rënë nga kategoria, skuadra e Sadikut është vetëm 3 pikë nga zona që të çon në Ligën e Europës.
Sfidanti.al