Ky Liridon Latifi, kur driblon  me top, e shkel  barin apo.. rrëshket?

Kur flet nëpër intervista s’duket mirë, sa dikush mund të tallet duke thumbuar  se është si puna e “mizës në qyp”,  por në fushë, Liridon Latifi, është si  një pushtues i madh , që ndiqet me kuriozitet nga simpatizantët dhe me frikë nga kundërshatarët.  Nuk ke pse e dëgjon Latifin, kur talenti i tij  ka një ndikim imponues sapo e shikon në fushë, madje me topin pranë këmbës, ndryshe nga të tjerët, duket sikur po bën ski në barin jeshil. Po, po Latifi rrëshket me lehtësi dhe nuk ndalet dot nga askush, madje edhe në një skenë ku jeta nuk të lejton shumë  si Laçi, vendi ideal ku “s’lejohet”  lodrimi i tepruar me vendasit.  Tani e tutje, do të mësohemi me golat e tij,  me një protagonizëm që ka e ka zanafillën 2 vite më parë,  ku jo të gjithë e shijonin dhe besonin, madje edhe zbuluesit kuqezi të Kombtares së madhe predikonin se ishte një zjarr shkrepseje..

Latifi ka vjedhur skenën eradhës  edhe në Laç me galopin e pazakontë dhe me  3 gola që kanë zënë vitrinën e lojës, aq sa në fund të ndeshjes ka merituar një pyetje me spec. Përgjigja e tij është bindëse edhe pse me mikrofonin nuk ka zotësinë si me topin: “  Unë gjithmonë jam përpjekur për të mirën e ekipit. Nuk ka shumë rëndësi nëse shënoj unë apo dikush tjetër..”.  Djaloshi  që “patinon” në Superligë , bile pa lajthitur pëtej murit të modestisë, disave u kujton pakëz  francezin Tieri Henri, i cili driblonte me top dhe dukej sikur nuk e shkelte fare barin. Nuk flet shumë, por ka besim se dy ndeshjet e jetës  në këtë sezon do të jenë përballë dyshes “armike” për fronin, Partizanit dhe Kukësit. “  Që e meritojmë titullin, do të bindeni pikërisht në këtë dy ndeshje” –  ka thënë Liridoni, futbollisti i talentuar  të cilin e kemi zbuluar bashkarisht , madje disave iu hapën sytë me vonesë..  Sepse do të ishte krejt ndryshe, nëse do të kishte luajtur jashtë kufinjve,  me siguri do të kishte veshur  me herët petkun  e Kombëtares, dhe “zbuluesit” e tij do të ishin spërkatur me aromë dafinash..

Sfidanti.al