Provë e mirë e Shqipërisë përballë Liechtensteinin në miqësoren e parë në prag të Kampionatit Evropian. Kuqezinjtë fituan thellë 3-0 përballë një kundërshtari që duhet pranuar ishte modest, gjithsesi Sylvinho mori mesazhet që kërkonte nga futbollistët që ka përzgjedhur për eventin madhor të futbollit, që do të zhvillohet në Gjermani. Konfirmohet referencë në majën e sulmit Armando Broja, një lojtar me stof elitar, provë shumë pozitive edhe për Arbër Hoxhën në krahun e majtë, me sulmuesin e Dinamos së Zagrebit që u shfaq mjaft dinamik me lojën e tij. Rikonfirmohet “snajper” i Kombëtares Jasir Asani, që dhuroi një tjetër “perlë” nga repertori i tij, ndërsa Bajrami, në mesfushë, diktoi ritëm dhe fantazi. Një ndeshje shumë e qetë për lojtarët e mbrojtjes dhe portierin Berisha, për të cilët ky kundërshtar nuk ishte i duhuri për t’u vënë në provë. Sigurisht, ndeshja e radhës me Azerbajxhanin do të kërkojë një ritëm më të lartë dhe shumë më tepër impenjim nga lojtarët para ndeshjes së parë të Evropianit me Italinë më 15 qershor.
sfidanti.al