Abrashi siguron mbijetesën në shtesë

Amir Abrashi ka qenë një nga surprizat e trajnerit Silvinjo për listën përfundimtare të Euro 2024. Mesfushori nuk grumbullohej që nga qershori me kuqezinjtë dhe nuk kishte luajtur asnjë herë në drejtimin e Silvinjos. Por ai është përfshirë në listë nga trajneri i cili e ka vlerësuar të domosdoshme eksperiencën e tij në mesfushën e Shqipërisë. Lojtari nuk i është bashkuar ende ekipit dhe do ta bëjë këtë vetëm në Austri, pasi ka qenë i angazhuar me skuadrën e Grasshopers në play-off për mbijetesën në elitën e futbollit zviceran. Skuadra e tij ia doli të siguronte mbijetesën falë një fitoreje dramatike 2-1 në fushën e Thun në ndeshjen e dytë. Goli i Abubakar në minutën e 91-të, i siguroi qëndrimin në elitë ekipit ku Abrashi mban shiritin e kapitenit. Mesfushori shqiptar i cili gjatë javës deklaroi se nuk dinte kë donte më shumë, gruan apo Grasshopers, pas festës në fushën e lojës shkoi dhe puthi bashkëshorten e tij, teksa më pas nuk përmbajti dot emocionet para kamerave. “Nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Kjo është një nga fitoret më të rëndësishme të karrierës. Presioni ishte i jashtëzakonshëm, shumë njerëz nuk donin që ne të qëndronim në elitë. Tani pikë së pari do të pi një birrë! Por nuk mund të pi shumë, pasi duhet të bashkohem me ekipin kombëtar nesër”, tha ai duke qeshur para kamerave pas përfundimit të ndeshjes.

sfidanti.al