Sikur ngjarjet t’i ketë kurdisur një dorë, edhe pse kanë një largësi kohore prej 8 vitesh. Kur po shkonim në Europian me “dron” me trajner De Biazin, mbetën jashtë liste tre emra ndjellës : Rashica, Gjimshiti dhe Rrahmani. Tani në kohën e Silvinjos, “fantazma” që kërkon kurbane nga lista, u rishfaq me të njëjtën masë oreksi. As më pak e as më shumë, prapë në listë nuk janë 3 emra pikantë për kontributin: Cikalleshi, Uzuni dhe Bare..!
E pyetën Silvinjon për braktisjen spektakolare që i bëri “3 musketierëve” të tij dhe braziliani shpërfilli të jepte një përgjigje konkrete, siç e meritonte rasti. Po kush mund ta dinte psenë e listës famëkeqe ? U ngjitën lart, shkuan tek “zoti i kombëtares”, pyetën presidentin Duka : “S’po qajmë për të tre, po me Cikalleshin ç‘patën?”
Përgjigja e presidentit Duka i kishte të tëra! Kishte klas të lartë hipokrizie, kishte art skenik dhe sinqeritet të tredhur . Prapëseprapë, më mirë kjo se sa bishtnaja e Silvinjos. Ja fjalët e “zotit” tonë të futbollit : “ Edhe mua të më kishin lënë jashtë listë do të isha zemëruar më shumë se Cikalleshi. Bile do të kisha thënë ca fjalë më shumë se ai…” Rrofsh o president , tani na qetesove, Silvinjo e paska bere me koken e vet…
Sfidanti.al