Rey Manaj mbyll aventurën në klubin turk të Sivassporit. Fill pas ndeshjes së fundit të sezonit, asaj ndaj Kayserispor ku luajti sërish si titullar, sulmuesi shqiptar dërgoi një mesazh për klubin dhe tifozët në rrjetet sociale, duke bërë të qartë lamtumirën e tij. “Ju dua Sivas. Do të mbeteni gjithmonë në zemrën time. Faleminderit për gjithçka”, shkroi Manaj në rrjetet sociale, duke lënë pak vend për hamendësime, pasi është një mesazh i qartë lamtumire, pas vetëm një sezoni me fanellën e Sivasspor. Rey Manaj iu bashkua klubit të Superligës turke në gushtin e vitit të kaluar dhe u përshtat shumë shpejt, duke u shndërruar në një pikë referimi për skuadrën. Sulmuesi 27-vjeçar luajti 33 ndeshje në kampionat, ku shënoi 18 gola dhe asistoi në tre të tjerë. Manaj luajti edhe 3 ndeshje në Kupë, ku gjeti katër herë rrugën e rrjetës, për të shënuar një total prej 22 golash me Sivassporin gjatë sezonit 2023-2024.