Shqipëria mbyll rrugëtimin në Europianin e Minifutbollit

Shqipëria zhvilloi ndeshjen e fundit të grupit E në Europianin e minifutbollit që përfundoi me fitoren 4-1 të Serbisë. Kuqezinjtë përmbyllën rrugëtimin në kompeticionin që po organizohet në Moldavi, duke u eliminuar në fazën e grupeve, me 1 pikë të marrë në katër ndeshje të zhvilluara. Serbia i realizoi shpejt golat, pasi që në minutën e 3’ Igor Jelic kaloi përpara përfaqësuesen e tij. Tre minuta më vonë, Serbia realizoi sërish me finalizimin e Milos Dimitrijevic. Në minutën e 11’, Armand Gapi shënoi golin që ngushtoi diferencat për kuqezinjtë pasi goditi saktë në afërsi të portierit Zivkovic. Megjithatë, 1 minutë pas golit të Gapit, Serbia siguroi sërish epërsinë e dy golave, me anë të finalizimit të Damjanovic. Igor Jelic shënoi golin përfundimtar në minutën e 35’, që vulosi fatet e ndeshjes. Një Europian që nuk shkoi ashtu sic kishte parashikuar kombëtarja kuqezi, por që padyshim shërben si një eksperiencë e vlefshme. Kuqezinjtë e Irtan Sejkos u renditën në vendin e parafundit me vetëm 1 pikë, të marrë në barazimin ndaj Francës, por tanimë do të shohë përpara për Botërorin që do të zhvillohet në fund të vitit në Oman.

sfidanti.al