CSKA Sofia kërkon Dean Liçon

Skënderbeu është një hap larg arritjes më të madhe sezonale përsa i përket objektivave fillestarë të vendosur nga klubi. Por nëse stafi bardhekuq dhe i gjithë ambienti është i përqendruar maksimalisht te ndeshja me Vllazninë, drejtuesit e klubit korçar dhe enturazhi i merkatos janë të fokusuar edhe në një pikë tjetër po kaq të rëndësishme. Bëhet fjalë për merkaton në dalje dhe mundësinë për të fituar sërish të ardhura të rëndësishme nga transferimet e lojtarëve kyç që janë pjesë e Skënderbeut. Në kushte të tilla gjithë vëmendja është e përqendruar te një ofertë që së fundi ka mbërritur në zyrat e klubit për shërbimet e kapitenit Dean Liço. Burime të sigurta bëjnë me dije për “Panorama Sport”, se kapiteni i korçarëve po ndiqet me kujdes nga CSKA Sofia në kampionatin bullgar. Madje të njëjtat burime bëjnë me dije se ka mbërritur edhe oferta e parë nga ana e klubit në fjalë. Edhe pse nuk jepen më shumë detaje në lidhje me këtë tratativë dhe me mënyrën sesi po shkon ky interesim, gazeta mëson se është një ofertë konkrete dhe mbi të gjitha serioze nga klubi bullgar. Nga sa mësohet nuk ka asnjë gjë të mbyllur për momentin, por oferta që CSKA Sofia ka bërë për të marrë shërbimet e fantazistit korçar është deri diku e përafërt me kërkesat që ka Skënderbeu, prandaj edhe me shumë mundësi pritet që tratativa të vijojë të jetë aktive dhe e hapur për ndryshime të tjera në raport me kërkesat e njërës palë apo palës tjetër. Në Korçë shpresojnë shumë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare në bazë të përmbushjes së kushteve që Skënderbeu ka për lojtarin. Teksa edhe për Liçon do të ishte një hap i rëndësishëm në karrierë duke u transferuar një kampionat me koeficient më të lartë sesa ai shqiptar.

sfidanti.al