Nadal: Për Roland Garros do të vendosë trupi im

Rafael Nadal do të marrë pjesë në turneun e Romës, në atë që mund të jetë edhe pjesëmarrja e tij e fundit në tokën italiane. Para se të startojë turneun, Nadal u ndal të komentonte edhe dy mungesat e mëdha të këtij eventi si Carlos Alcaraz dhe Jannik Sinner. “Dëmtimet ndodhin, nuk mund të parashikohen. Fakti që Sinner nuk luan këtu për italianët është një lajm shumë i keq, por këto janë të njohura në sport. Kur e shtyn trupin përtej limiteve atëherë vijnë edhe dëmtimet. Gjithashtu dëmtimet ndodhin edhe kur kalon një pjesë të madhe të kohës në terrene me asfalt, aty sipërfaqja është më e fortë dhe ia vështrëson punën trupit. Por, të mos e bëjmë dramë, turneu do të ecë përpara dhe Sinner me Alcaraz do të kenë shumë raste të tjera në të ardhmen”, u shpreh Nadal.

Më pas, tenisti nga Mallorca u ndal të komentonte edhe shanset e tij për të marrë pjesë në Roland Garros, turneun e tij të preferuar. “Unë i marr ditët një nga një, për momentin jam i lumtur dhe ndjehem mirë. Tani po mendoj për Romën dhe nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodhë në Roland Garros. Varet shumë nga trupi im. Tërheqja përfundimtare? Kur unë flas dhe mendoj për t’u tërhequr nuk më gëzon, duhet të kuptoni se e bëj vetëm nga pamundësia fizike. Nëse nuk ia del që t’i bësh gjërat mirë në të përditshmen tënde, dhe nëse nuk ia del të argëtohesh për shkak të problemeve fizike, atëherë është thuajse e pamundur që të vazhdosh dhe të pretendosh për suksese”, u shpreh Nadal.

sfidanti.al