Prej shumë e shumë muajsh, FSHF ka nisur një fushatë agresive për t’u shitur si “lokomotivë” tani që edhe presidenti Duka është bërë një nga 5 zv.presidentët e UEFA-s. Këtu janë stacionuar presidentët e 11 federatave, personalitete të ndryshme për të na dhënë leksione futbolli e madje gjatë ditëve të ardhshme, një tjetër aktivitet sipas FSHF-së, do të na shtojë prestigjin ndërkombëtar.
Komunikata e FSHF:
“UEFA do të organizojë në Tiranë një tjetër mbledhje të nivelit të lartë. Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në selinë qendrore të Federatës Shqiptare të Futbollit më 7 maj në ora 08:30 – 12:15, do të mbahet mbledhja e “Grassroots Football Panel” me pjesëmarrjen e disa drejtuesve nga Federata të ndryshme të Europës. Në këtë mbledhje, që organizohet në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Shqiptare të Futbollit, do të diskutohen pika të rëndësishme për zhvillimin e futbollit të bazës për vitet e ardhshme, si edhe orientimi i Federatave anëtare në aspektin e organizimit dhe planifikimit të objektivave të futbollit të bazës për ciklin 2024-2028. Kjo është mbledhja e dytë për këtë vit që UEFA organizon në vendin tonë, pas asaj të 16 prillit me pjesëmarrjen e drejtuesve të 11 federatave të futbollit të Europës Juglindore. Më parë FSHF ka mirëpritur dhe ka organizuar në “Shtëpinë e Futbollit” edhe mbledhjen e një prej organeve më të rëndësishme të UEFA-s, Komitetin “HatTrick”.
Organizim pas organizimi, sallat e pritjes për ndërkombëtarët mbeten të hapura dhe Shqipëria është sot…sipas FSHF-së, qëndra e futbollit, në mos botëror, europian. Po pse kjo dëshirë e madhe e FSHF-së për të pritur e përcjellë të huajt pa i ndalur një herë ata në fushat e stadiumet e boshatisur? Për kë luhet futbolli sot? Për burokratët e zyrave apo për njerëzit e seminareve dhe takimeve përreth tryezave të rrumbullakëta si ajo e “Mbretit Artur”?
sfidanti.al