Paolo Maldini i ka kthyer përgjigje Paolo Scaronit, presidentit të Milanit. Ky i fundit deklaroi se nuk ka biseduar me legjendën e kuqezinjve pas shkarkimit nga posti i drejtorit teknik, duke mos e kursyer ironinë ndaj Maldinit. “Kur dikush e shikon të kaluarën e tij me një nivel të caktuar ashpërsie, do të thotë se nuk po e jeton shumë mirë të tashmen. Shpresoj të mos jetë rasti i Maldinit, të cilit i uroj një jetë personale plot kënaqësi”. E shkurtër dhe kuptimplotë përgjigja e ish-kapitenit historik të Milanit, një ndër lojtarët më fitues në historinë e futbollit. “Nëse hedh sytë nga e kaluara ime, nuk arrij të ndaloj buzëqeshjen”, theksoi Paolo Maldini, i cili verën e vitit të kaluar i dha fund aventurës si drejtues i klubit të jetës. Scaroni dhe Maldini punuan së bashku te Milani gjatë viteve 2018-2023. Raporti mes tyre nuk ka qenë gjithmonë pozitiv. Presidenti insistoi se grupi është i bashkuar më shumë se kurrë pas largimit të Maldinit. Ndërkohë që ky i fundit ia kthente: “Milani meriton një president që kujdeset për interesat e Milanit. Në tribuna e kam parë shpesh të largohej kur kundërshtarët barazonin ose kalonin në avantazh. Ndoshta vetëm për të shmangur trafikun… Ndërkohë që e mbaj mend shumë mirë në rreshtin e parë kur fituam titullin kampion. Kështu që nuk arrij ta kuptoj shprehjen e tij se Milani është një grup i bashkuar pa Maldinin. Mund të kemi koncepte të ndryshme sa i përket ndasive dhe grupit”.
sfidanti.al