Faza e katërt e kampionatit ka shkuar keq për Vllazninë, që duket se ka humbur shumë nga performanca e saj e zakonshme. Shkodranët e kanë harruar shijen e fitores prej katër ndeshjesh, ku kanë marrë vetëm 2 pikë nga 12 të mundshme. Shumë pak për atë që të gjithë e konsideronin si skuadrën më stabël të kampionatit dhe pretendenten më serioze për titullin kampion. Me paraqitjen e javëve të fundit kjo skuadër ka ngritur jo pak dyshime. Sidomos humbja e fundit në shtëpi me Laçin ka treguar qartë se edhe Vllaznia ka limitet e veta. Të besuarit e trajnerit Qatip Osmani janë në krizë, që duhet ta kalojnë sa më shpejt, sepse jemi në fundin e kampionatit dhe në “Final 4” duhet shkuar në formën më të mirë. Trajneri Osmani ka pohuar pas humbjes me Laçin se rënia e formës së disa lojtarëve ka ndikuar direkt në paraqitjen e skuadrës. Kjo është një e vërtetë, ashtu si dhe fakti që Vllaznia nuk ka një stol që ofron zgjidhje në momente të caktuara. Gati të gjithë kanë konstatuar faktin se skuadra kuqeblu duket e lodhur, pa freski fizike, që nga ndeshja e Kukësit. Po pse trajneri Osmani nuk ndërhyn atëherë për t’i dhënë skuadrës më shumë energji nga stoli. Përgjigja është e thjeshtë: nuk ka alternativa bindëse. Madje, edhe kur mungon ndonjë lojtar për dëmtim apo kartonë, ai has vështirësi. Si në rastin e fundit me Smajlin, i cili nuk luajti në disa ndeshje dhe mungesa e tij u ndje shumë. Sala, që e zëvendësoi, bën më mirë në mesfushë. Përveç formacionit bazë, te kuqeblutë ka pak lojtarë që të jenë në nivelin e titullarëve.
Ndoshta edhe aktivizimi i një numri të limituar lojtarësh ka dhënë efektin e vet, sepse duke qëndruar në stol, lojtarët e humbasin formën. Tekniku Osmani e ka theksuar disa herë se mbështetet te 12 apo 13 lojtarë. Për më tepër, në disa pozicione alternativat në stol mungojnë dukshëm. Kur mungon një titullar në mesfushë, trajneri detyrohet të modifikojë formacionin, sepse nuk ka një zëvendësues “kokë për kokë”. Nëse mungon Krymi, Boshanjaku, apo Alivoda, duhet tërhequr Mala nga sulmi, ku pastaj aktivizohet Çoba, ndër të vetmit nga stoli që afron më shumë garanci. Mungesa e stoli është ndjerë shumë te Vllaznia edhe për shkak të ngarkesës së madhe të ndeshjeve. Kuqeblutë janë pretendentë në kampionat dhe në Kupë, por me vetëm një formacion është e vështirë ta përballosh gjithë këtë ngarkesë. Alternativat për trajnerin Qatip Osmani kanë qenë me “pikatore”, ndaj dhe është logjike që do të vinte një situatë si kjo që po kalojnë shkodranët aktualisht. Kërkohet një sforco e fundit nga skuadra, por në anën komplikonte më shumë situatën tani në momentin më delikat të sezonit. Ndeshja e radhës në kampionat është ajo me Teutën në Durrës, shumë impenjative, ndërsa disa ditë më pas vjen sfida e kthimit gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë me Egnatian. Përveçse duhet të përmbysë humbje 1-0 të Rrogozhinës, Vllaznisë i duhet të bëjë edhe pa dy titullarët që u ndëshkuan me karton të kuq atje, Stojanoviç dhe Hakaj. Nëse kthen sytë nga stoli, trajneri Osmani e ka të vështirë të gjejë zëvendësuesit, por së pari duhet të shpresojë që deri atëherë të mos i shtohet ndonjë mungesë tjetër.
sfidanti.al