85% e tifozëve nuk e duan Allegrin në krye të Juves, ky është sondazhi i bërë në rrjetet sociale, por ky mendim i tifozëve nuk pritet të ketë asnjë efekt te drejtuesit e “Zonjës së Vjetër”. Plani i tyre është ndryshe, kërkojnë të vijojnë me Allegrin, por sigurisht ka edhe kushte, i pari dhe i panegociueshmi është të sigurojnë një vend në Champions League. Juve ka një plan 3 vjeçar, ku me Champions dhe prezencën në Botërorin e Klubeve parashikojnë të fitojnë afro 150 milionë euro. Me këtë shumë, Juve parashikon të afrojë disa lojtarë si Koopmeiners nga Atalanta, Goretzka nga Bayern Munich, Samardzic nga Udine dhe Zirkzee nga Bologna. Prioritet është edhe rinovimi i kontratës me disa titullarë të rëndësishëm si Rabiot, Chiesa dhe Vlahovic. Në planin e Giuntolit, drejtorit të “Zonjës së Vjetër”, i bërë publik nga Corriere dello Sport, Juve e vërtetë do të shihet brenda tre viteve. Në vitin e parë synohet konsolidimi i ekipit, në vitin e dytë synohet titulli në Serie A ndërsa brenda tre vitesh parashikojnë të jenë konkurrues në nivele të larta edhe në Evropë.
sfidanti.al