Klasikja në gjuhën e shifrave

Kryefjala e kësaj jave në kampionatin shqiptar është Klasikja e Shqipërisë. Në “Loro Boriçi” ditën e shtunë , ora 17:00 do të vihen përballë njëra-tjetrës Vllaznia dhe Tirana. Një duel mjaft i rëndësishëm dhe që premton spektakël, teksa në fushë do të zbresin dy ekipet më të titulluara në futbollin shqiptar. Emocionet janë të mëdha në këtë sfidë, e cila prej vitesh tashmë i jep tonin futbollit shqiptar. Në këtë përbalje shkodranët vijë si favoritë, pasi prej më shumë se 10 javësh nuk e njohin “fjalën” humbje.

Ndërkohë në krahun tjetër situata është e kundërta. Bardheblutë rrezikojnë seriozisht “Final- Four” dhe në këtë mënyrë fitorja në Shkodër është mëse e detyrueshme për objektivat e kryeqytetasve. Pavarësisht momentit që po kalojnë aktualisht dy ekipet, statistikat e përballjeve direkte thonë diçka tjetër. Në 15 ndeshjet e fundit kryeqytetasit janë superiore ndaj shkoddranëve. 9 ndeshje kanë përfunduar në favor të bardhebluve, teksa  në 3 takime kanë triumfuar kuqeblutë dhe po kaq takime janë mbyllur në barazim mes tyre. 18 gola janë shënuar nga kryeqytetasit në portën e shkodranëve, ndërsa kuqeblutë ia kanë dalë të gjejnë portën e bardhebluve 10 herë. Kujtojmë se dy përballjet e këtij sezoni mes tyre janë “identikë”. 1 fitore për Tiranën me shifrat 1-0 dhe një fitore për Vllazninë po 1-0.

sfidanti.al