Tirana është ndalur në një barazim 1-1 përballë Laçit në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena”, e vlefshme për javën e 25-të të Superiores. Një sfidë që nisi e vrullshme, por që shumë shpejt u bë e vështirë për skuadrën kurbinase e cila në minutën e 18-të humbi shërbimin e Paulo Silvës, që u ndëshkua me karton të kuq për një pengim të Lushkjas në afërsi të zonës. Pas një pjese të parë pa gola, sfida u zhbllokua në minutën e 54-ët. Një goditje këndi për bardheblutë dhe një top i mbetur në zonë është shfrytëzuar maksimalisht nga Lushkja, i cili nuk ka falur me goditjen e tij potente, 1-0. Atëherë kur mendohej se gjithçka ishte në favor të bardhebluve, vjen dhe goditja e kurbinasve. Një aksion nga e djathta e sulmit dhe Myrta 78′ brenda zonës ka shfrytëzuar pasigurinë e mbrojtjes bardheblu për të vendosur barazpeshën. Një mundësi e humbur për Tiranën, që mbetet në kuotën e 35 pikëve në vendin e katërt, aq sa Dinamo e vendit të pestë. Një pikë me peshë për skuadrën e Laçit.
sfidanti.al