Çudirat shqiptare të futbollit…amator

Nuk mund të mungonte këtë fundjavë turpi në fushat e futbollit shqiptar. Në skenë u ngjit Kategoria e Dyte me ndeshjen Maliqi-Pogradeci. Humbja 0-2 e vendasve në ndeshjen e Grupit B të Kategorisë së Dytë, ka sjellë protesta të shumta nga skuadra e Maliqit. Ajo fillimisht vendosi të largohej nga fusha e lojës gjatë pjesës së parë të takimit, kur u dhanë dy penallti kundër saj dhe një karton i kuq. Por më pas u vendos të vazhdohej ndeshja, e cila u mbyll me fitoren e miqve, mes protestave për gjyqtarin Mikele Drymishi, të cilit iu kushtuan edhe disa postime radhazi në rrjetet sociale të klubit.

“SKANDAL! Dy penallti për Pogradecin dhe karton i kuq për Maliqin në pjesën e parë! Ky është turp, kamikazi Mikele Dyrmishi duhet të mbajë përgjegjësi për këtë shfaqje bastarde! Dy penallti kundër dhe karton i kuq për portierin Dramolli! Jemi të shtangur! Kamikazi Mikele Dyrmishi, sapo baltosi gjithë futbollin shqiptar me këto vendime të turpshme”, postoi pak më vonë klubi i Maliqit, duke shprehur indinjatën ndaj vendimeve në ndeshjen e së shtunës.

sfidanti.al