Të dielën do të luhet finalja e Kupës së Ligës në Angli dhe trajneri i Liverpulit, Jurgen Klopp kërkon që të shtojë një tjetër trofe në koleksionin e titujve që ka fituar me “të kuqtë”. Klopp ka njoftuar vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen si trajner i Liverpolit në fund të sezonit, por kërkon që të fitojë finalen e nesërme kundër Çelsit. Gjermani, i cili është i vetmi trajner i “të kuqve” që ka fituar gjashtë trofe të ndryshëm të mëdhenj, do t’ia kushtonte fitoren të gjithë njerëzve që janë të lidhur me klubin e kuq si pjesë e epokës së tij nëntëvjeçare të mbushur me trofe. “Dua të fitoj të dielën, por jo për vete apo për koleksioin tim të trofeve. Është për djemtë, për klubin, për njerëzit. Kjo është shumë më e rëndësishme. Ne kemi shkruar, dhe ende po shkruajmë, një libër të mrekullueshëm dhe kur të largohem e mbyllim atë libër dhe e vendosim në raft dhe më pas dikush tjetër do të shkruajë një libër të mrekullueshëm”, ka thënë mes të tjerash trajneri gjerman. Suksesi më i fundit i Liverpulit në Kupën e Ligës erdhi në sezonin 2021-22, kur ata fituan gjithashtu Kupën FA, dhe për pak nuk arritën të siguronin “tripletën” pasi përfunduan në vendin e dytë në Premier League.
sfidanti.al