Në javën e vendimit të fortë të UEFA-s për t’i dhënë presidentit Ceferin asistin e mandatit të katërt, Kategoria Superiore i “merr vëmendjen” Kongresit ku “dora e allçisë” u aktivizua edhe në botën perëndimore duke na treguar se ky është një normalitet edhe në Europën e civilizuar. Barazimi i Egnatias, humbja e Partizanit dhe rikthimi i Dinamos te fitorja pas 15 vitesh në një derbi janë lajmet e mëdha të ditës së parë të javës së 22-të ku kryelajmi është ngjitja e Vllaznisë në pozicionin e dytë të klasifikimit. Por pyetja e madhe në këtë rast është: A do të kishim rezultate të tilla edhe nëse do të luanim me formulën e vjetër? Me siguri që jo. Po t’i analizoni me kujdes humbjet e Partizanit dhe ndalesën e Egnatias, askush nuk u dëmtua dhe në rastin e formulës së vjetër, zhurma do të ishte shumë më e madhe nga tifozeritë e dy skuadrave në fjalë, ndërsa në Shkodër do të fluturonin nga gëzimi por në fund të fundit, askush nuk interesohet për atë që ndodh në sezonin e rregullt. Tashmë dihet pothuajse në një masë të madhe që skuadrat e finales katërshe janë vendosur dhe askujt nuk i dhemb nëse dështon apo nuk hidhet në ajër nëse triumfon. Për t’u kthyer te Kongresi i UEFA-s, nëse e analizojmë mirë, jo të gjithë e kishin “dorën në allçi” pasi Anglia rezistoi, ndërsa klubet tona nuk e patën guximin për të thënë “jo” dhe pasojat po i vuajnë të gjithë sot.
Nga Pirro Bardhyli