Kylian Mbappe ende pa e veshur fanellën e Real Madrid, është cilësuar si lojtari më influent në politikat e “Los Blancos”, një klub hermetik që nuk bie kurrë pre e kërkesave të ekzagjeruara të lojtarëve tekanjozë. Gjithsesi, në lidhje me francezin, Florentino Perez e ka mbyllur njërin sy. Ai nuk ka shpenzuar shifra të çmendura as për lojtarë si Beckham apo Ronaldo fenomeni por Mbappe duket se ia ka dalë mbanë të imponohet dhe kontrata e tij mund të thyejë edhe ekujlibrat në dhomat e zhveshjes. Sulmuesi Francez do të përfitojë rreth 50 milionë euro pagë vjetore ndërsa familja e tij do të arkëtojë menjëherë 120 milionë euro me hedhjen e firmës në kontratë pasi në këtë rast përfiton nga fakti që Mbappe do të shkëputet si lojtar i lirë nga PSG ku Real Madrid nuk do të bëjë asnjë pagesë shtesë.
Kërkesat në kufijtë e absurdit i ka bërë mamaja e lojtarit, Fayza Lamari, e cila deklaroi madje disa ditë më parë se bashkë me Kylian do të kërkojnë të arkëtojë sa më shumë nga kjo lëvizje. Një tjetër kërkesë që Real Madrid e ka plotësuar është edhe ajo që lidhet me të drejtat e imazhit. Asnjëherë më parë një lojtar në klubin mbretëror nuk kishte arritur të bindte drejtuesit për të përfituar 60 % të shumës dhe ky konsiderohet një veprim i rrezikshëm pasi mund të vendosë një precedent që në të ardhmen mund të kërkohet të përdoret edhe nga lojtarë të tjerë. Në ambjentet e klubit njerëzit po shfaqin pakënaqësi ndërsa tifozët shprehen të lodhur nga kërkesat e vazhdueshme të francezit i cili nuk ka hedhur ende një firmë në parakontratën e ofruar nga presidenca.
sfidanti.al