Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do të mbajë mbledhjen e radhës ditën e sotme në Paris ku do të caktohet edhe vendi i “krimit” për ndryshimet në statut që do ta bëjnë edhe parimorin Ceferin një “perandor”. Paraardhësi i tij, Michal Platini u desh të përballej me DEA-n amerikane për të hequr dorë nga mandatet që i siguronin përjetësinë dhe slloveni erdhi pikërisht me premtimin që do të vendosë kufirin maksimal me dy mandate e një gjë të tillë e bëri vërtet por tashmë idetë e tij duket se kanë ndryshuar e me njerëz që kanë “eksperiencë” të përjetshme në kolltuqet ku janë ulur, ai do të ndryshojë statutin duke e hequr “kleçkën” e numrit të kufizuar të mandateve.
Për ta bërë këtë duhet të caktojë fillimisht një datë e cila do të vendoset sot në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, sigurisht me bashkëpunimin edhe të presidentit të FSHF-së, Armand Duka dhe 4 zëvendësve të tij të tjerë në UEFA të cilët do të caktojnë datën e kongresit të ardhshëm ku do të miratohen edhe ndryshimet në statutin e UEFA-s, lëvizje që e kundërshtoi edhe një emër me peshë si Zvonimir Boban, i cilësuar si krahu i djathtë i Ceferin, i cili sigurisht që për çështje që kanë të bëjnë me demokracinë, nul do t’ia dijë tashmë.
Nga Pirro Bardhyli