Chelsea rrezikon dënim më të ashpër se Evertoni

Chelsea mund të përballet me një dënim edhe më të rëndë se sa Evertoni nga Premier League, për shkak të thyerjes së rregullave financiare, ka argumentuar një ish-këshilltar ekonomik i Manchester Cityt. Rregullat financiare të Premier kanë marrë vëmendjen kryesore gjatë muajve të fundit, pasi Evertoni është dënuar me heqje të 10 pikëve në nëntor të vitit të kaluar, madje, ata u dënuan edhe një herë tjetër së bashku me Nottingham Forest gjatë muajit janar, për shkak se humbjet e tyre në fund dolën të ishin mbi 105 milionë euro në një periudhë tre vjeçare. City në anën tjetër janë duke u përballur me 115 akuza, të cilat në rast se vërtetohen, “Qytetarët” do mund të përballeshin me një dënim aq të rëndë, sa ekziston mundësia që të bien në kategorinë e dytë të futbollit anglez. Sa i përket Chelseat, ata kanë shpenzuar mbi 1 miliarë euro në transferime që prej ardhjes së Todd Boehly dhe Clearlake Capital në maj të vitit 2022. “Ata kanë përdorur truket e amortizimit. Por, në mendjen time, aty shihen probleme të mëdha në horizont dhe me siguri do të dënohen nga Liga Premier. Kjo, mund të evitohet vetëm në rast se deri më 30 qershor, ata do të shesin lojtar mbi 100 milionë euro, diçka që vështirë se mund të ndodhë”, ka thënë Stefan Borson. Borson në fund shtoi se dënimin të cilin Chelsea mund ta marrë, është edhe më i ashpër se sa ai me të cilin është ballafaquar Evertoni. “Kjo thyerje e rregullave me të cilën Chelsea po akuzohet mund të ketë për pasojë një dënim edhe më të madh se sa ai i Evertonit. Dhe më e rëndësishmja nga një perspektivë rënduese, Premier do ta konsiderojë atë si një thyerje të qëllimshme të rregullave”.

sfidanti.al