Mbappe: Futbolli po bëhet si NBA

Në një intervistë të gjatë për revistën franceze “GQ”, Kylian Mbappé trajtoi disa tema, jo vetëm personale, por edhe gjendjen e futbollit modern. Nga mënyra se si presioni “nuk e prek atë”, nga përgjegjësitë e tij si kapiten i PSG-së, deri te largimi i tij eventual nga parisienët. Në lidhje me spekulimet mbi largimin e tij nga kryeqytetit francez, 25-vjeçari kujton eksodin e fundit të disa futbollistëve në vende jashtë Europës, që shënon një “epokë të re” në sportin mbretëror:

“Shumë lojtarë të mëdhenj që u larguan, lanë gjurmët e tyre në historinë e futbollit evropian dhe ne po hyjmë në një epokë të re të futbollit. Është cikli normal i lojës dhe, në një moment, do të jetë radha ime të largohem”.Pavarësisht kësaj, Mbappé thekson peshën e mbajtjes së shiritit të kapitenit te kampionët e Francës:

“Kapiteni është lajmëtari i një grupi dhe sot kam për detyrë të kontaktoj secilin nga lojtarët për të siguruar që të gjithë janë në kushtet më të mira për të ndihmuar ekipin. Dallimi i madh në krahasim me të kaluarën është se më parë fokusohesha në performancën time dhe atë që mund t’i jepja ekipit individualisht. Të jesh kapiten është një qasje e re në futboll.”

Në lidhje me lajmet për kalimin e mundshëm të Reali i Madridit, numri 7 i PSG-së flet për një lloj tjetër presioni, në fushë, për të cilin sigurohet se “nuk ndikon tek ai” në mënyrë negative: “Presioni nuk më ndikon negativisht dhe kam nevojë për të funksionuar. Kjo është ajo që na lejon të ruajmë nivelin e përsosmërisë. Jemi në një kohë konsumi të tepërt, me shumë ndeshje dhe tifozët presin shumë nga lojtarët.”

Mbappé thekson gjithashtu se futbolli po i afrohet kalendarëve të sporteve të tjera, me gjithnjë e më shumë ndeshje në këmbët e sportistëve: “Futbolli po i afrohet modelit të NBA-së, me sezone prej shtatëdhjetë ndeshjesh. Nuk jam kundër të luajmë aq shumë, por nuk mund të jemi mirë gjatë gjithë kohës dhe t’i japim publikut shfaqjen që ai pret.”

sfidanti.al