Lenjani rikthehet në Zvicër

Ermir Lenjani rikthehet në Zvicër, por këtë herë në Challenge League, ose kategorinë e dytë të futbollit helvet. Anësori 34-vjeçar ka ndërprerë para kohe kontratën me turqit e Umranyespor dhe ka firmosur me Fc Schaffhausen, skuadër ku shërben si drejtor sportiv ish-sulmuesi shqiptar i Zvicrës, Admir Mehmedi. Lajmin e ka dhënë vetë klubi zviceran, që ndër të tjera thekson se Ermir Lenjani mund të përshtatet shumë mirë, si në krahun e majtë të mbrojtjes, ashtu edhe në atë të sulmit. Schaffhausen renditet në vendin e fundit të Challenge League dhe këtë sezon ka si objektiv mbijetesën, me synimin që në verë të përforcohen për të tentuar rikthimin në elitën e futbollit zviceran.

Ermir Lenjani ka lindur në Kamenicë të Kosovës dhe është rritur te Winterthur në Zvicër, para se të spikaste te St. Gallen. Në 2015-ën ai u transferua ne Francë te Rennes, dhe një vit më vonë te Nantes, para se të rikthehej në Zvicër për të veshur fanellat e klubeve si Sion dhe Grasshopers. Lenjani numëron 45 ndeshje me fanellën kuqezi të Kombëtares Shqiptare dhe 6 gola të shënuar, teksa ka qenë pjesë e skuadrës që përfaqësoi vendin në Europianin e Francës.

sfidanti.al