Zhdukja e Të Pathyeshmëve, “Operacion Fshesa” tek Barcelona!

Kur të paktën 9 lojtarë nuk kanë bindur në një sezon, do të thotë se skuadra ka luajtur në vështirësi të mëdha dhe se drejtuesit sportivë kanë gabuar rëndë. E tillë duket gjendja tek Barcelona, pas një tjetër disfate të turpshme si ajo në Torino. Formacioni i udhëhequr nga Lionel Mesi mund ta përfundoi sezonin vetëm me trofeun e Kupës së Mbretit, dhe koha për analiza duket se jo vetëm ka ardhur, por edhe është pak e kaluar.

Specialistë të ndryshëm futbolli kanë bërë llogaritë, në rolin e analistëve nëpër media duke nxjerrë një listë lojtarësh që duhet ose të largohen menjëherë, ose që janë nën dyshim të madh. Natyrisht, nuk bëhet fjalë për Pikenë, Busketsin, Zhordi Albën, Mesin, Nejmarin apo Suarezin. Po ashtu, provën e kalojnë portieri Ter Shtegen dhe mbrojtësit Lykas Dinje e Samyel Ymtiti apo lojtari i krahut Sergi Roberto.

Në dyshim janë emra të tillë si Havier Maskerano (mosha bën të vetën), Aleish Vidal, Rafinja, Andre Gomes (i marrë 55 milionë euro nga Valencia) apo edhe Ivan Rakitiç dhe Pako Alkaser. Sipas specialistëve, tek Barcelona u është vënë viza Arda Turanit dhe Zheremi Matjësë.

Sfidanti.al